Një zjarr i madh shpërtheu sot në fshatin Trubarevë të Shkupit, duke shkaktuar shqetësime serioze për ndotjen e ajrit dhe rrezikun ndaj shëndetit publik. Iniciativa O2 ka reaguar ashpër, duke theksuar se vendi ku u shfaq zjarri, një depo me mbetje elektronike dhe elektrike e vendosur në një stallë në një rrugë të banuar, është plotësisht i papranueshëm dhe i rrezikshëm.
Sipas informacioneve, banorët e Trubarevës prej vitesh ankohen për kthimin e rrugës së tyre në një landfill të paligjshëm, ku transportues mbetjesh nga zona të ndryshme të vendit i depozitojnë mbetjet, duke ndotur kështu ambientin.
Fillimisht u raportua se zjarri kishte shpërthyer në ambientet e kompanisë “Nula Otpad”, por më vonë u sqarua se objektet që po digjen janë të F – GRUPACIJA, një kompani që merret me mbetje elektronike.
Iniciativa O2 paralajmëron se tymrat nga zjarri po përhapen mbi Shkup, duke rritur rrezikun për shëndetin e qytetarëve. Ata gjithashtu ngrenë pyetjen nëse ka ende ndonjë person normal në vend që zbaton standardet dhe respekton rregulloret, duke iu referuar edhe rastit të ngjashëm në Koçan.