Zjarri masiv që shpërtheu dje në mesditë në fshatin Nerav të Kriva Pallankës, duke përfshirë mbi 50 hektarë pyll pishe, po përhapet drejt shtëpive dhe në drejtim të Serbisë.
Sipas informacioneve nga Komuna e Kriva Pallankës, zjarri tashmë ka arritur në pjesë të territorit të Komunës së Rankovcës, fshatin German dhe po ashtu në drejtim të Komunës së Trgovishtës në Republikën e Serbisë.
Komandanti i njësisë territoriale të zjarrfikësve nga Kriva Pallanka, Ile Kocevski, informon se ekipet janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerë për shuarjen e zjarrit. Ai theksoi se zjarri po përhapet me shpejtësi dhe po afrohet pranë shtëpive në fshatin Nerav.
Zjarri u raportua në TPPK Kriva Pallanka dje rreth orës 14:00. Në shuarjen e tij u përfshinë aktivisht ekipet e: TPPK Kriva Pallanka, TPPK Rankovce, Njësia e zjarrfikësve Trgovishte, Serbi, ekipe nga ndërmarrja publike “Makedonski Shumi” – Ekonomia Rajonale Pyjore “Osogovo”, Kriva Pallanka dhe banorët vendas nga fshatrat Nerav dhe Trgovishte.
Kocevski informoi se terreni është i paarritshëm dhe ekipet kanë punuar gjatë gjithë natës për të mbajtur zjarrin larg shtëpive. Ai shtoi se zjarrfikësit janë angazhuar pa ndërprerë dhe po bëjnë çmos për të penguar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Komuna apelon tek të gjithë qytetarët që të respektojnë me rigorozitet rekomandimet dhe të përmbahen nga lëvizja në zonat malore dhe pyjore, në mënyrë që të mbrojnë sigurinë e tyre dhe të lehtësojnë punën e shërbimeve në terren. Kryetari i komunës është në koordinim të vazhdueshëm me shtabin komunal të krizës.