Daily Events News Network_Site Logo_Original Size_2025

Ngjarjet ditore nga Maqedonia e Veriut

Lajmet më të fundit nga Maqedonia e Veriut në Shqip


Zëvendëskryeministri Fetai sulmon ashpër Ahmetin: Është hipokrite të flasësh për dinjitet, ndërsa mbyllje sytë para krimeve

Shkup – Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili vlerësoi se vetëm Arben Taravari e ka kuptuar që pozitat e shqiptarëve në Qeveri janë poshtëruese. Fetai e ka akuzuar Ahmetin për hipokrizi dhe i ka thënë se “nuk është shërbëtor i askujt”.

Reagimi i Fetait vjen pas deklaratës së Ahmetit, i cili theksoi se Arben Taravari e kuptoi se shqiptarët në Qeveri po poshtërojnë dhe zhvlerësojnë popullin e tyre. Fetai e cilësoi këtë si hipokrizi të paturpshme, duke iu drejtuar Ahmetit me fjalët se ai nuk është shërbëtor i askujt dhe se këtë epitet duhet ta mbajë për vete, ai që u ka shërbyer me zell forcave antishqiptare dhe ka legjitimuar çdo krim ndaj shqiptarëve.

Fetai i ka drejtuar Ahmetit disa pyetje direkte, duke e akuzuar për heshtje dhe mosveprim në momente kyçe për komunitetin shqiptar. Ai ka pyetur se ku ishte Ahmeti kur ministrat e tij arrestuan një nënë dhe vajzë shqiptare të akuzuara rrejshëm për terrorizëm islamik, nëse ka folur ndonjëherë kur strukturat shtetërore vranë patriotë shqiptarë, nëse ka lëvizur ndonjë gisht kur turma huliganësh rrahën shqiptarë në rrugët e qyteteve dhe ku ishte dinjiteti i tij atëherë.

Fetai e ka akuzuar liderin e BDI-së se ka pranuar agjendën e VMRO-DPMNE-së dhe ka tradhtuar interesat e shqiptarëve. Sipas tij, Ahmeti është ai që ka lejuar institucionet e financuara nga taksat e tyre të ofendojnë shqiptarët në baza nacionale, ai që ka pranuar “Shkupin 2014” si projekt nacional dhe luanin e VMRO-DPMNE-së si simbol ilir.

Ai gjithashtu e akuzoi Ahmetin se ka mbyllur sytë ndaj manipulimeve me regjistrimin dhe ka zbrazur tërë rajone nga shqiptarët, duke theksuar se asnjëherë në histori nuk ka pasur më shumë poshtërim, më shumë tradhti dhe më shumë mjerim sesa gjatë sundimit të tij të errët.

Fetai ka theksuar se BDI-ja ka arritur vetëm të pasurojë një rreth të ngushtë njerëzish, ndërsa populli vazhdon të vuajë. Ai ka përfunduar duke thënë se shqiptarët nuk harrojnë dhe nuk falin dhe se problemi i Ahmetit është fatura që po troket në derën e tij.