VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së LSDM-së, duke theksuar se partia e opozitës është e fundit që mund të flasë për drejtësi dhe kulturë. Sipas VMRO-DPMNE, kur LSDM flet për drejtësi, tingëllon si një hajdut që ligjëron për ndershmëri, ndërsa kur flet për kulturë, ngjan si një zjarrvënës që mburret për shuarjen e zjarrit.
Në reagimin e tyre, VMRO-DPMNE thekson se LSDM tenton të përhapë lajme të rreme, frikë dhe dezinformata, duke e konsideruar këtë si strategjinë e tyre të vjetër kur nuk kanë argumente.
Partia në pushtet kujton periudhën kur LSDM ishte në pushtet, duke theksuar se hetimet mbylleshin, prokurorët shantazhoheshin, kriminelët nga maja e qeverisë mbroheshin, qytetarët dëshmuan persekutimin politik të disidentëve, Gjykata Supreme ishte një seli partiake dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë ishte një vëzhgues i heshtur i krimit.
VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në se Ministria e Kulturës në kohën e tyre ishte kthyer në një arkë parash për transaksione partiake dhe shpërblime për individë të afërt. Sipas tyre, grantet shpërndaheshin pa kritere, përmes lidhjeve miqësore dhe meritave partiake, ndërsa artistët që nuk ishin lojalë injoroheshin ose sanksionoheshin. Institucionet bllokoheshin dhe kultura reduktohej në një biznes privat për individë të zgjedhur.
VMRO-DPMNE siguron se nuk do të lejojë presion mbi prokurorinë, por as nuk do të lejojë mbrojtje për askënd që ka shkelur ligjin, pavarësisht përkatësisë partiake, etnike apo tjetër. Ata theksojnë se po luftojnë për një shtet të barabartë, jo të privilegjuar, ndërsa LSDM po lufton për t’u kthyer në pushtet për të kontrolluar drejtësinë dhe për të vazhduar vjedhjen. Sipas VMRO-DPMNE, koha e kriminelëve ka mbaruar dhe Maqedonia është në duart e qytetarëve të ndershëm.