Shkup – VMRO-DPMNE vlerëson se institucionet e Maqedonisë së Veriut po menaxhojnë me sukses zjarret që kanë prekur disa zona të vendit, duke theksuar efikasitetin e trajtimit të situatës.
Partia thekson se, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut nuk ka persona të evakuuar apo të zhvendosur, dhe as viktima njerëzore. Dëmet e shkaktuara janë të kufizuara vetëm në zonat pyjore.
Sipas VMRO-DPMNE, kjo nuk është rezultat i fatit, por i ndërhyrjes së shpejtë, të organizuar dhe profesionale nga të gjitha shërbimet kompetente.
Ditën e djeshme, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan 20 zjarre në ambiente të hapura, nga të cilët dhjetë janë aktivë, pesë janë nën kontroll dhe pesë janë shuar plotësisht.
Situata në vend kontrastohet me atë në Turqi, ku mbi 3,500 qytetarë janë evakuuar dhe 17 persona kanë humbur jetën, duke përfshirë 13 zjarrfikës. Zjarri atje ka prekur edhe zonat urbane, duke shkaktuar shkatërrim të shtëpive dhe infrastrukturës.
Në Shqipëri, ku 45 zjarre janë aktivë, mbi 2,000 njerëz janë evakuuar, mbi 20 shtëpi janë djegur dhe fshatra janë zbrazur plotësisht. Zjarret në Greqi kanë prekur zonat e banuara dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa mijëra qytetarë janë evakuuar. Pamje apokaliptike janë të pranishme edhe në Bullgari, ku janë regjistruar mbi 240 zjarre aktivë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.