Vladimir Çetkar, kitaristi i njohur maqedonas, do të mbajë një koncert promovues për albumin e tij më të ri “Let Us Be” më 8 maj (e mërkurë) në orën 21:00 në Public Room në Shkup. Ky koncert shënon fillimin e turneut të tij të madh ndërkombëtar.
Pas koncertit në Shkup, Çetkar do të vazhdojë turneun në disa metropole amerikane, përfshirë Bostonin, Nju Jorkun dhe Çikagon, përpara se të udhëtojë drejt Japonisë.
Albumi “Let Us Be” është projekti i katërt studior i Çetkarit, i regjistruar në Çikago me pjesëmarrjen e mbi 40 muzikantëve dhe inxhinierëve të zërit.
Edicioni, i cili u lançua ekskluzivisht në Japoni përmes shtëpisë diskografike P-Vine Records, tashmë gjendet në raftet e dyqaneve muzikore japoneze.
Sipas Çetkarit, albumi është frymëzuar nga momentet e përditshme, dashuria, sfidat dhe emocionet e sinqerta. Ai synon të festojë jetën, momentin, faljen dhe dashurinë së bashku gjatë koncertit.
Çetkar dërgon një mesazh simbolik përmes albumit: të jemi ajo që jemi dhe çfarë duam të jemi.
Vladimir Çetkar, i diplomuar në “Berklee College of Music” në Boston, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme ndërkombëtare për dy dekada, duke balancuar mes Maqedonisë dhe SHBA-së.
I lindur në Ohër, ai tani kalon shumë kohë në Nju Jork, ku vazhdon historinë e tij muzikore.