Dy transplantime komplekse të kockave nga donatorë të vdekur u kryen me sukses në Klinikën e Sëmundjeve Ortopedike, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. Këto ndërhyrje të avancuara tregojnë vazhdimin e praktikave moderne dhe të specializuara në fushën e ortopedisë dhe traumatologjisë në vend.
Transplantimet u realizuan me bashkëpunimin e Dr. Milena Bogojevska Doksevska, koordinatore spitalore për ortopedi dhe përgjegjëse për bankën e indeve.
Në rastin e parë, një operacion u krye për një kist kockor tek një pacient 45-vjeçar. Ekipi profesional që kreu ndërhyrjen përbëhej nga Prof. Dr. Milan Samardziski, Doc. Dr. Aleksandar Trajanovski, Dr. Biljana Lazarova, një specializante ortopede, anestezistja Dr. Marina Temelkovska, infermierja instrumentiste Kristina Redzep, infermierja asistente instrumentiste Dr. Olivera Lazarevska, infermierja anesteziste Gordana Zaharieva dhe sanitari Snezana Todorovska.
Transplantimi i dytë u krye tek një pacient 65-vjeçar i diagnostikuar me tumor gjigant qelizor në pjesën distale të rrezes së parakrahut të djathtë. Pas një biopsie paraprake, indi i tumorit u zëvendësua me ind të shëndetshëm kockor nga një donator. Ndërhyrja u drejtua nga kirurgu specialist ortoped dhe nënspecialist traumatolog Dr. Rezart Dalipi, së bashku me ekipin: Dr. Maja Nedelkovska, kirurge specialiste ortopede, Dr. Simona Karapandzevska, specializante ortopede, Dr. Iskra Sojlevska-Jovanovska, specializante ortopede, anestezistja Dr. Jadranka Zafirovska, anestezistja Merita Ramadani, infermierja instrumentiste Olivera Lazarevska, infermierja asistente instrumentiste Sanja Todorovska, teknikja radiologjike Silvana Stojkovska dhe sanitari Sejnur Idriz.
“Mirënjohje të madhe për të gjithë anëtarët e ekipeve të përfshira në transplantime, si dhe për familjet e dhuruesve. Forcimi i njohurive dhe aftësive, ndjekja e tendencave moderne evropiane dhe futja e metodave të reja në transplantologji, janë imperativi ynë i vazhdueshëm,” theksoi Prof. Dr. Biljana Kuzmanovska, koordinatore kombëtare e transplantit.