Tre persona janë arrestuar në Shkup nën dyshimin për grabitje të të miturve në zonën e Bit Pazarit. Sipas informacioneve nga policia, arrestimet u kryen rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme.
Të arrestuarit janë identifikuar si S.A., 19 vjeç nga fshati Kondovë, M.I., 22 vjeç dhe R.F., 20 vjeç, të dy nga Shkupi. Ata dyshohen se rreth orës 22:25, në një stacion autobusi në Bit Pazar, kanë vjedhur para nga pesë të mitur nga fshati Kuçevishtë, duke përdorur kërcënime.
Policia thekson se pas grabitjes, të dyshuarit kanë ndaluar edhe dy të mitur të tjerë nga fshatrat Idrizovë dhe Trubarevë të Shkupit.
Pas kompletimit të dokumentacionit të çështjes, në koordinim me prokurorin publik, do të ngrihet padi ndaj tyre sipas procedurës së shpejtuar.