Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka pritur bashkë-raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për dialogun pas monitorimit me Maqedoninë e Veriut, Sibel Arslan nga Zvicra dhe Joseph O’Reilly nga Irlanda, të cilët po qëndrojnë për vizitë dy-ditore në vend.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e Këshillit të Evropës për zhvillimin demokratik evropian, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. U theksua se mekanizmat dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë konsideruar gjithmonë si shprehje e mbështetjes për zhvillimin demokratik dhe u është kushtuar vëmendje e madhe atyre.
Bashkë-raportuesit shprehën interesim për zhvillimet aktuale në skenën politike, me fokus të veçantë reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe marrëdhëniet me vendet fqinje.
Në fund, u shpreh shpresa se gjatë vizitës dy-ditore, raportuesit do të kenë mundësi të vërejnë progresin e arritur që nga vizita e fundit e tillë në vitin 2019 dhe se raporti, i cili do t’i prezantohet Komitetit të Monitorimit dhe më pas anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, do të japë një pasqyrë objektive të situatës në vend.