Ministria e Kulturës ka shpallur zyrtarisht hapjen e konkurseve për çmimet shtetërore “11 Tetori” dhe “22 Nëntori” për vitin 2025. Afati i fundit për aplikim është 31 maj 2025.
Çmimi shtetëror “11 Tetori” është mirënjohja më e lartë për arritje të jashtëzakonshme gjatë gjithë jetës në fushën e shkencës, artit, ekonomisë dhe aktiviteteve të tjera me interes publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai u akordohet individëve, grupeve krijuese, ekipeve, institucioneve, ndërmarrjeve dhe shoqatave të qytetarëve nga vendi.
Ndërkaq, çmimi shtetëror “22 Nëntori” u jepet individëve nga sfera politike, kulturore dhe shoqërore që kanë dhënë kontribut të veçantë në avancimin e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit reciprok ndërmjet anëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në vend. Qëllimi i këtij çmimi është të vlerësojë ata që punojnë për harmoninë dhe tolerancën në shoqëri.
Bordi për ndarjen e çmimit “11 Tetori” dhe Bordi për ndarjen e çmimit “22 Nëntori” kanë ftuar të gjithë personat e interesuar të aplikojnë në këto konkurse. Konkurset janë të hapura nga data 1 maj deri më 31 maj 2025.