Festivali Ndërkombëtar Letrar “Rrethi i Hapur” do të mbahet më 15 maj në Qendrën Kulturore “Phoenix” në Shkup, ku do të ndahen shtatë çmime dhe mirënjohje. Fondacioni për Afirmimin dhe Prezantimin Kulturor dhe Shkencor Maqedonia Present nga Shkupi njoftoi sot laureatët e këtij festivali tradicional.
Shkrimtari Selimir Raduloviç nga Novi Sadi do të nderohet me çmimin “Horizontet Letrare Ballkanike” për vlerat dhe marrëdhëniet e tij letrare ndërkombëtare. Shkrimtari Stefan Markovski do të marrë çmimin “Rrethi i Hapur” për risitë dhe eksperimentet në fushën e letërsisë.
Shaip Emerllahu do të nderohet me çmimin “Urat Lidhëse” për prezantimin dhe afirmimin e krijimtarisë letrare maqedonase në Festivalin “Ditët e Naim Frashërit” në Tetovë. Elena Prendzova do të marrë çmimin “Haikin” për kontributin e saj të veçantë në poezinë Haiku.
Roza Bojanova nga Bullgaria do të nderohet me çmimin “Koordinatat Letrare” për bashkëpunimin dhe afrimin e letërsive. Ivica Çelikoviç nga Suedia do të marrë çmimin “Rrënjë Maqedonase” për punën e tij letrare dhe përkthimore. Shkrimtari Mito Spasevski do të nderohet me çmimin “Princ i Vogël” për kontributin e tij në fushën e letërsisë për fëmijë dhe të rinj. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të fillojë në orën 12:00.