Qytetarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me rritje të reja të çmimeve në tregje dhe dyqane pas skadimit të masës për ngrirjen e marzhës tregtare. Sipas LSDM-së, ushqimet dhe produktet, të cilat ishin të paarritshme për qytetarët edhe me marzha të ngrira, sot janë edhe më të shtrenjta.
LSDM akuzon qeverinë për politikë ekonomike të dështuar, duke theksuar se as shporta e vjeshtës, as ajo e Vitit të Ri, dhe as marzhat e ngrira nuk patën sukses. Sipas tyre, çmimet vazhdojnë të rriten, ndërsa standardi i jetesës po bie.
“Vaji për gatim është rritur nga 89 në 92 denarë, qumështi është mbi 72 denarë, janë rritur çmimet e vezëve, mishit, djathit dhe lëngjeve. Produktet higjienike janë shtrenjtuar deri në 60 për qind. Qytetarët kanë gjithnjë e më pak para në xhepat e tyre,” deklaroi Lolita Ristova, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së. Ajo shtoi se pagat janë shumë të vogla dhe nuk zgjasin as deri në gjysmën e muajit.
Sipas Ristovës, shporta sindikale ka pësuar rritje, duke theksuar se një familje me katër anëtarë ka nevojë për të paktën 62,700 denarë në muaj. Ajo kritikoi faktin që as tre paga minimale nuk e mbulojnë këtë shifër minimale.
LSDM i bën thirrje qeverisë të braktisë politikat e dëmshme ekonomike dhe të pranojë propozimet e tyre, të cilat, sipas tyre, do të sillnin një ulje reale të çmimeve dhe një rritje të pagave. Propozimet e LSDM-së përfshijnë heqjen e TVSH-së për produktet bazë, një pagë minimale prej 500 eurosh dhe një rritje të pagave në sektorin privat. Ristova theksoi se vetëm me heqjen e TVSH-së për ushqimet do të uleshin çmimet e 250 produkteve.