Një nxënëse e mitur nga Shkupi është viktimë e shantazhit nga dy shokë klase, të cilët e kërcënuan se do të sulmonin fizikisht vëllanë e saj me probleme shëndetësore, nëse ajo nuk u jepte para. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vajza u detyrua t’u japë para në disa raste, duke marrë gjithsej 25,000 euro nga shtëpia.
Ngjarja u raportua në SPB Shkup nga babai i vajzës, 52 vjeç, rreth orës 00:30 të natës së kaluar. Ai deklaroi se vajza e tij, nxënëse në një shkollë fillore në zonën e Pazarit të Vjetër në Shkup, kishte kohë që merrte kërcënime nga dy shokë klase.
Shantazhuesit kërcënonin se do të sulmonin vëllanë e saj më të vogël, i cili është person me probleme shëndetësore, nëse ajo nuk u jepte para.
Policia po ndërmerr masa për të zbardhur plotësisht rastin.