Shkup – VMRO-DPMNE akuzon SDS-në, Shukovën dhe Zaevin se kanë gënjyer popullin në vitin 2020 për zgjidhjen e problemit me deponinë e Vardarishtes, ndërsa rezultatet janë zero. Sipas VMRO-DPMNE, premtimi për zgjidhjen e këtij problemi ishte i regjistruar zyrtarisht në programin e tyre “Mundemi” për zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.
Në deklaratën e VMRO-DPMNE theksohet se në faqen 228 të programit thuhej: “Do të ndihmojmë në sanimin e menjëhershëm të shumicës së deponive ilegale, duke i dhënë përparësi deponisë në Vardarishte, si dhe pastrimin dhe rikultivimin e lokacioneve me mbeturina të hedhura në mënyrë të papërshtatshme në zonat urbane dhe rurale.” Sipas VMRO-DPMNE, ky është edhe një premtim tjetër i rremë parazgjedhor nga SDS dhe Shukova.
VMRO-DPMNE pyet se ku kanë përfunduar 42 milionë euro, që sipas programit të SDS-së, ishin parashikuar si një portofol financiar për realizimin e projektit.
Nga VMRO-DPMNE pyesin gjithashtu se pse SDS dhe Shukova e kanë zvarritur të njëjtin problem për katër vjet pa asnjë realizim dhe pse gënjyen qytetarët e Shkupit se do ta zgjidhnin problemin me Vardarishten. Ata shtrojnë pyetjen se si mundet Shukova dhe SDS të kenë guximin të premtojnë të njëjtën gjë përsëri para qytetarëve, këtë herë me Shukovën vetëm në pozitën e kandidates për kryetare të Shkupit.
Në deklaratën e VMRO-DPMNE thuhet se ky është një shembull klasik i manipulimit dhe gënjeshtrës ndaj publikut dhe se kjo është dëshmi se SDS premton shumë, por nuk përmbush asgjë.
VMRO-DPMNE thekson se SDS nuk duhet t’i nënvlerësojë njerëzit dhe se duhet të dijë se të njëjtat gënjeshtra nuk kalojnë dy herë. Sipas tyre, qytetarët e dinë se kush punon për të mirën e tyre.
VMRO-DPMNE pretendon se ka një program dhe plan për të zgjidhur problemet e qytetarëve, një mjedis më të pastër, ajër më të pastër dhe një cilësi më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët.