Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e gatshme të zgjasë masën e kufizimit të marzheve të fitimit për produktet ushqimore dhe higjienike nëse çmimet fillojnë të rriten ndjeshëm pas datës kur skadon masa aktuale. Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski.
Vendimi përfundimtar do të varet nga rezultatet e fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave. Bazuar në të dhënat e deritanishme, masa e kufizimit të marzheve të fitimit ka dhënë rezultate pozitive në frenimin e rritjes së çmimeve.
Risteski shprehet se shpreson që tregtarët të kenë mësuar nga e kaluara dhe nuk do të rrisin artificialisht çmimet apo inflacionin. Ai thekson se mbrojtja e standardit të jetesës së qytetarëve duhet të jetë prioritet.
Në shkurt të këtij viti, Qeveria vendosi të kufizojë marzhet e fitimit bruto për mbi 1,000 produkte ushqimore dhe higjienike, një masë që do të ishte në fuqi deri në fund të prillit.
Zëvendësministri thekson se nëse nuk ka nevojë për vazhdimin e masës, tregu i lirë do të rregullojë çmimet. Megjithatë, ai siguron se Qeveria do të reagojë nëse është e nevojshme për të mbrojtur konsumatorët nga rritjet e paarsyeshme të çmimeve.