REK Manastir po përballet me një situatë kritike ku prodhimi është në rënie dhe punëtorët po punojnë në kushte të rrezikshme për jetën. Sipas LSDM, kompleksi po funksionon vetëm me një njësi – Njësia 3, por është e paqartë se sa do të mund të zgjasë kjo për shkak të problemeve serioze.
Një shpërthim i fundit në komandën e largimit të hirit të Njësisë 3 shkaktoi djegien e stacioneve transformatore që furnizojnë rripat e largimit të hirit me energji elektrike. Për shuarjen e zjarrit u përdorën mbi 20 zjarrfikëse, por dëmet ishin të mëdha. Në vend që të riparoheshin urgjentisht stacionet transformatore, disa makineri janë lidhur me një kabllo zgjatuese për të marrë energji elektrike.
LSDM raporton se punëtorët detyrohen të bëjnë gjithçka manualisht, duke rrezikuar jetën e tyre çdo ditë. Ata pohojnë se punëtorët janë të detyruar të heshtin për shkak të kërcënimeve dhe presionit nga eprorët.
Partia opozitare akuzon drejtorët dhe këshilltarët e sapoemëruar në REK Manastir se janë në dijeni të situatës, por nuk po ndërmarrin asgjë. Sipas tyre, ata që premtuan se do ta ngrinin REK Manastir kur të vinin në pushtet, po tregohen si “groparët” e kompleksit. Largimi i hirit i Njësisë 3 nuk funksionon, turbina e Njësisë 1 ka devijim dhe njësia është jashtë funksionit dhe nuk ka shenja riparimi. LSDM thekson se situata në REK Manastir nuk ka qenë kurrë më keq.