Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj tentativës për të rrënuar ndërtesën shkollore të ndërtuar nga banorët shqiptarë në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës. Ai ka theksuar se në kohën e “operave të zeza politike,” populli po harrohet.
Taravari ka deklaruar se partia e tij qëndron pranë banorëve të fshatit Nerovë dhe kauzës së tyre, duke e vlerësuar aktin e tyre si të rrallë dhe fisnik. Ai ka shtuar se banorët, duke mos pasur një shkollë, ndërtuan vetë një objekt.
Ai shpreh shqetësim për faktin se autoritetet shtetërore kanë marrë masa për të rrënuar shkollën me arsyetimin se ajo është ndërtuar pa leje. Taravari u ka bërë thirrje autoriteteve kompetente që të mos e rrënojnë këtë shkollë, duke theksuar se ajo është ndërtuar nga prindërit për fëmijët e tyre.
Në fund të reagimit të tij, Taravari ka ngritur një pyetje direkte që po përhapet me shpejtësi në opinionin publik: “Çfarë është më e drejtë? Një kazino me leje apo një shkollë pa leje?”