Qeveria do të mbështesë modernizimin infrastrukturor të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup me një buxhet prej 34 milionë euro, i cili do të sigurohet gradualisht gjatë pesë viteve të ardhshme. Kjo u bë e ditur nga Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës së rektorit të këtij institucioni të lartë arsimor.
Fondi prej 34 milionë eurosh do të shërbejë për ndërtimin e një kampusi modern, i cili synon të jetë një qendër për ekselencë akademike, shkencë dhe teknologji. Sipas ministres Janevska, ky investim do të sigurojë kushte moderne për punë dhe avancim për studentët dhe stafin akademik.
Ministrja Janevska i uroi mirëseardhjen në detyrë rektorit të ri, Prof. Dr. Bekim Fetaji, duke shprehur besimin se ai do të vazhdojë me vizionin për një rritje edhe më të madhe të cilësisë së programeve të studimit dhe do të kontribuojë me ekspertizën e tij në zhvillimin e universitetit si një institucion modern arsimor dhe shkencor, i denjë për mbështetjen që merr. Janevska theksoi se pret që rektori i ri të sjellë energji të re dhe të motivojë profesorët dhe hulumtuesit e universitetit për të avancuar profesionalisht dhe të frymëzojë studentët të përpiqen jo vetëm për të marrë një diplomë, por për t’u bërë qytetarë vërtetë të arsimuar akademikisht, të gatshëm për vlerësimin ndërkombëtar të njohurive.
Gjithashtu, Ministrja falënderoi rektorin e deritanishëm, Prof. Dr. Izet Zeqiri, duke theksuar se si personi i parë i universitetit dhe si profesor, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e gjeneratave akademike që tashmë janë të integruara në proceset shoqërore dhe funksionimin e shtetit. Universiteti “Nënë Tereza” është universiteti më i ri shtetëror dhe qeveria është e përkushtuar të sigurojë burimet e nevojshme për zhvillimin e tij të mëtejshëm.