Komuna e Aerodromit do të ketë qendrën e saj të parë multifunksionale, e cila do të pasurojë jetën kulturore dhe sociale të banorëve. Kjo qendër, e vendosur pranë SC “Marko Bozhinovski” në Novo Lisice, do të ofrojë hapësira për koncerte, shfaqje filmash, projeksione multimediale, shfaqje teatrale, ekspozita arti, konferenca dhe aktivitete të tjera.
Autoritetet e komunës theksojnë se bëhet fjalë për një rindërtim dhe rinovim të plotë të një hapësire prej rreth 1500m2.
Komuna e Aerodromit fitoi një grant prej 99 milionë denarësh nga Qeveria për fazën e parë të rindërtimit, duke u përgjigjur thirrjes së qeverisë me këtë projekt.
Pas rindërtimit, hapësira do të pasurohet plotësisht. Përveç sallës kryesore – auditorit, qendra do të përfshijë edhe një foaje, një bufe dhe hapësira edukative – punëtori. Gjithashtu, do të ndërtohet një ashensor, i cili do të sigurojë aksesibilitetin në përmbajtjen e qendrës multimediale për të gjitha kategoritë e qytetarëve.
Auditori në sallën kryesore do të ketë mbi 240 vende dhe një rresht shtesë i përshtatur për personat me nevoja të veçanta në karroca me rrota.
Qendra multifunksionale, e cila po realizohet me mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, është me rëndësi të madhe sepse banorët e Aerodromit do të kenë për herë të parë një qendër kulturore, e cila do t’i japë një impuls të veçantë dhe të ri jetës së tyre kulturore dhe argëtuese.