Prokuroria Publike ka urdhëruar zhvillimin e procedurave hetimore kundër një 19-vjeçari të dyshuar për kryerjen e veprës penale – dhunë. Ngjarja ka ndodhur më 21 prill, në orën 2:00 të mëngjesit, përpara një dyqani duhani në Kisela Voda.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, së bashku me disa persona të tjerë të panjohur, kanë ushtruar dhunë të ashpër ndaj dy personave të lënduar, duke shkaktuar ndjenja pasigurie, kërcënimi dhe frike te një fëmijë 10-vjeçar i cili ishte dëshmitar i ngjarjes.
Gjatë kohës që të lënduarit ishin ulur përpara dyqanit, i dyshuari dhe personat e tjerë i kanë sulmuar ata, duke i goditur me blloqe betoni. Si pasojë e sulmit, njëri prej personave të lënduar ka marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa tjetri ka marrë lëndime trupore.
Për të siguruar zhvillimin e qetë të procedurave, prokurori publik ka propozuar masa paraprake për të dyshuarin. Këto masa përfshijnë ndalim të largimit nga vendbanimi, detyrim për të raportuar periodikisht te një zyrtar i caktuar në gjykatë, sekuestrim i përkohshëm i pasaportës ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe ndalim i afrimit ose vendosjes së kontakteve me personat e lënduar.