Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka cilësuar kurrikulën e re të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për lëndën “Histori dhe Shoqëri” për klasën e shtatë si një hap serioz prapa dhe një fyerje e thellë për shqiptarët në vend.
Sipas BDI-së, ky dokument, i cili shërben si bazë për përgatitjen e teksteve shkollore, i injoron plotësisht shqiptarët, kulturën, historinë dhe kontributin e tyre në shtetin e përbashkët.
Në programin e mëparshëm, të përgatitur nga qeveria e kaluar, ishte theksuar qartë se nxënësit duhet të mësonin historinë e popullit të tyre dhe historinë e popujve të tjerë që jetojnë në vend. Inkuraohej ndërgjegjësimi për identitetin, bashkëjetesa dhe respekti ndërkulturor.
Në programin e ri, të gjitha këto përmbajtje janë fshirë pa asnjë shpjegim. Nuk ka asnjë fjalë për shqiptarët, as për rolin e tyre në histori, kulturë apo shoqëri.
Sipas BDI-së, kjo nuk është një ndryshim teknik, por një mesazh politik. Një vendim i qëllimshëm për ta paraqitur historinë si vepër të një populli, shtetin si monoetnik dhe shqiptarët sikur nuk ekzistojnë.
Një qasje e tillë jo vetëm që i përjashton nxënësit shqiptarë nga tekstet shkollore, por krijon edhe një ndjenjë refuzimi dhe padrejtësie tek brezat e tërë.
BDI vlerëson se historia dhe shoqëria nuk mund të studiohen pa një nga popujt më të rëndësishëm që e përbëjnë këtë shtet.
Sipas tyre, programi jo vetëm që i privon nxënësit shqiptarë nga mundësia për të njohur veten, por edhe minon drejtpërdrejt idenë e bashkëjetesës, barazisë dhe respektit të ndërsjellë.
BDI u bën thirrje institucioneve kompetente ta tërheqin këtë program, siç e quajnë ata, të njëanshëm dhe përjashtues dhe të kthehen në një qasje që do të reflektojë mozaikun e vërtetë historik dhe shoqëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
BDI thekson se shqiptarët nuk janë të padukshëm, as në të kaluarën, as në të tashmen, dhe nuk duhet të përjashtohen nga asnjë faqe e historisë së përbashkët.