Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pranoi sot në takim Risto Durloskin, kryetarin e organizatës “Maqedonasit e Bashkuar në Kanada”. Takimi u zhvillua në ambientet presidenciale.
Presidentja riafirmoi angazhimin e saj për formimin e një Këshilli për Diasporën, duke e konsideruar atë një hap politik përpara në bashkëpunimin mes shtetit dhe diasporës. Ky këshill shihet si një përgjigje institucionale ndaj nevojës për forcimin dhe thellimin e komunikimit me bashkatdhetarët tanë në të gjitha fushat.
Gjatë takimit, Durloski theksoi se qëllimi kryesor i Organizatës mbetet promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të maqedonasve në Kanada, si dhe integrimi i tyre në shoqërinë demokratike kanadeze. Sipas tij, rrënjët maqedonase janë një motiv i fortë për të mbështetur interesat kombëtare maqedonase.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se diaspora e madhe maqedonase mund të jetë një faktor në forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore dhe të tjera kanadezo-maqedonase. Ata vlerësuan rëndësinë e diasporës si një urë lidhëse mes dy vendeve.