Afrim Gashi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, uroi qytetarët e besimit të krishterë për festën e Pashkëve, duke transmetuar një mesazh shprese, ripërtëritjeje dhe bashkimi.
Gashi theksoi se kjo festë shërben si një rikujtesë e vlerave të përbashkëta siç janë respekti, solidariteti dhe mirëdashja njerëzore – vlera këto që janë themeli i çdo shoqërie përparimtare. Ai shprehu bindjen se si qytetarë të vendit, kanë për detyrë që së bashku të ndërtojnë ura të mirëkuptimit, harmonisë dhe paqes, duke i konsideruar si një themel të fortë për një të ardhme të begatë dhe të qëndrueshme.
“Në këto ditë të ndritura gëzimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, t’ju uroj festën e Pashkëve. Mesazhi i Pashkëve është një mesazh shprese dhe ripërtëritjeje,” thuhet në mesazh.
Në fund të urimit, Gashi u dëshiroi të gjithë qytetarëve lumturi familjare, gëzim personal dhe mirëqenie, duke shprehur shpresën që këto ditë Pashkësh të jenë të mbushura me ngrohtësi, dashuri dhe paqe të përbashkët. “Gëzuar Pashkët!” përfundon urimi i Kryetarit të Kuvendit.