Pas një viti nga zgjedhjet dhe pothuajse një viti të plotë të mandatit të qeverisë së VMRO-DPMNE, konkluzioni për politikën e jashtme dhe diplomacinë është shkatërrues: asnjë premtim parazgjedhor i VMRO-DPMNE nuk është përmbushur. Kështu deklaroi Faton Bejta nga Komisioni për Punë të Jashtme i LSDM-së.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut është lënë prapa në rrugën e integrimit evropian, duke u bllokuar procesi dhe duke u ngrirë agjenda evropiane. Ai theksoi se gjatë mandatit të LSDM-së, vendi ka shënuar progres në integrimin evropian, ndërsa sot është prapa Shqipërisë, Malit të Zi dhe të gjithë të tjerëve.
Bejta kritikoi gjithashtu kryeministrin Mickoski për vizitat në SHBA, të cilat, sipas tij, janë reduktuar në fotografi nga lobi i hoteleve dhe takime të rastësishme me gazetarë e biznesmenë, pa asnjë përfitim konkret për vendin.
Kritika pati edhe për ministrin Timço Mucunski, për të cilin Bejta tha se në një vit nuk ka treguar asnjë rezultat, ndërsa e vetmja lëvizje e tij ka qenë spastrimi partiak në diplomaci, shkarkimi i paligjshëm i ambasadorëve dhe zëvendësimi i profesionistëve me kuadro partiake.
LSDM-ja shtoi se Maqedonia e Veriut nuk ka ambasadorë në shtete kyçe evropiane si Franca, Italia, Danimarka, Belgjika, Rumania, Hungaria dhe Estonia. Po ashtu, nuk ka ambasadorë në NATO, Gjenevë dhe Nju Jork. Në të njëjtën kohë, qeveria nuk ka emëruar konsuj të përgjithshëm në konsullata të rëndësishme si Selaniku, Melburni, Nju Jorku, Detroiti dhe Toronto.
Sipas LSDM-së, misionet diplomatike-konsullore janë pothuajse jofunksionale dhe diplomatët po përpiqen të përfaqësojnë shtetin pa mbështetje. Gjithashtu kritikohet edhe tentimi për të ndryshuar në mënyrë antikushtetuese Ligjin për Punë të Jashtme, në mënyrë që qeveria të ketë fjalën e fundit në diplomaci, duke përjashtuar Presidentin e shtetit.