Shkup dhe disa qytete të tjera pritet të goditen nga reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe breshër gjatë ditës së sotme. Meteorologët paralajmërojnë për mot të ndryshueshëm dhe të paqëndrueshëm me kushte serioze për stuhi lokale.
Sipas parashikimeve, do të ketë reshje të herëpashershme gjatë ditës, të shoqëruara me bubullima, ndërsa në disa lokacione priten shi i rrëmbyeshëm, erë e fortë dhe breshër i izoluar.
Shërbimi Hidro-Meteorologjik thotë se “proceset do të jenë më intensive në disa vende dhe mund të zhvillohen në formën e stuhive afatshkurtra, por të forta”. Orët më të rrezikshme janë pasditja dhe mbrëmja.
Temperaturat minimale të mëngjesit do të variojnë nga 5 gradë Celsius në Mavrovë dhe Berovë deri në 12 gradë Celsius në Gjevgjeli, dhe temperaturat maksimale ditore nga 12 gradë Celsius në Mavrovë deri në 25 gradë Celsius në Gjevgjeli.
Në Shkup, moti do të jetë pjesërisht i vranët dhe priten paqëndrueshmëri me shi të rrëmbyeshëm, erë të fortë dhe bubullima në disa pjesë të pellgut. Ka gjithashtu kushte për breshër të izoluar. Temperatura në kryeqytet do të variojë nga 12 deri në 23 gradë Celsius.