Instituti Hidrometeorologjik njofton për mot të paqëndrueshëm gjatë kësaj jave në të gjithë vendin. Sipas parashikimeve, pritet që moti të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje shiu të kohëpaskohshme të shoqëruara me bubullima.
Priten rrebeshe lokale me intensitet të shtuar në formë stuhie, të shoqëruara me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erëra të forta dhe mundësi për breshër të izoluar. Temperaturat do të luhaten ndjeshëm gjatë ditës.
Për ditën e nesërme, parashikohet që në mëngjes moti të jetë me diell dhe me vranësira mesatare. Ndërsa gjatë pasdites, pritet që moti të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i paqëndrueshëm në shumë vende, me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, lokalisht në formë stuhie me shi të rrëmbyeshëm më të fortë, bubullima, erëra të forta dhe breshër të izoluar.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 6 deri në 11 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 19 deri në 26 gradë Celsius.
Në Shkup, parashikohet mot me vranësira të ndryshueshme. Gjatë pasdites, në disa pjesë të luginës do të ketë zhvillim të vranësirave të paqëndrueshme me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erëra të forta. Temperatura minimale do të ulet deri në 9 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 26 gradë Celsius.