Administrata e Doganave e Maqedonisë së Veriut ka parandaluar disa tentime për kontrabandë të mallrave të ndryshme në pikat kufitare dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Mallrat e konfiskuara përfshijnë parfume, duhan, suplemente dietike, “maxhun” me aditivë, veshje dhe artikuj të ndryshëm si thika dhe vegla peshkimi.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, një shtetas i Emirateve të Bashkuara Arabe, me origjinë nga India, u kap duke tentuar të kontrabandonte 76 parfume në vend. Pas mbërritjes, ai zgjodhi kanalin e gjelbër, por u zgjodh për kontroll doganor për shkak të dyshimeve. Gjatë kontrollit, u gjetën parfume me origjinë nga Dubai, të cilat ai nuk i kishte deklaruar.
Po ashtu, në aeroport, u zbuluan 260 pako duhan nga 50 gram secila, gjatë kontrollit të një pasagjeri që po udhëtonte nga Shkupi për në Londër-Luton.
Në pikën kufitare të Tabanocit, një shofer kamioni tentoi të kontrabandonte një inverter solar. Shërbimi i Skanerit Mobil zbuloi parregullsi në kabinë, duke çuar në një kontroll fizik që zbuloi inverterin solar të pa deklaruar.
Oficerët doganorë në Tabanoc konfiskuan gjithashtu 129 copë suplementi dietik Zeo Medic nga valixhet e një pasagjeri në një autobus që operonte në linjën Shkup-Beograd.
Në kufirin e Bogorodica, u pengua një tentativë për të kontrabanduar 3,150 qese me “maxhun” me aditivë. Pasagjeri, i cili po udhëtonte me makinë, deklaroi se nuk kishte asgjë për të deklaruar, por një kontroll i detajuar zbuloi mallrat e pa deklaruara në bagazh.
Një ekip doganor mobil nga Zyra Doganore e Tabanocit konfiskoi 463 copë veshje me firma të njohura si Ralph Lauren, Dior, Boss dhe marka të tjera të modës, për shkak të dyshimeve të bazuara mirë për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Së fundi, në kufirin e Novosellës, një pasagjer u kap duke tentuar të kontrabandonte mallra të ndryshme, duke përfshirë thika, çelësa, pajisje peshkimi, kufje dhe një rrobaç .Mallrat e pa deklaruara u zbuluan në bagazh dhe midis sediljeve të automjetit.