Një park i ri me infrastrukturë moderne dhe një poligon inkluziv trafiku po ndërtohet në komunën e Kisella Vodës, duke transformuar një hapësirë të lënë pas dore në një zonë të gjelbër dhe funksionale për të gjitha brezat.
Kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, inspektoi sot punimet ndërtimore në një sipërfaqe prej rreth 1,250 m², e cila ndodhet në një pjesë të hapësirës së shkollës për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve me dëmtime të shikimit “Dimitar Vlahov”.
Hapësira do të jetë e paisur me rekuizita për fëmijë, elemente shtrimi, pajisje urbane, stola dhe kosha plehrash, ndriçim dhe gjelbërim.
Një pjesë e veçantë e parkut do të jetë një poligon modern trajnimi trafiku, i cili do të jetë i pari i këtij lloji inkluziv dhe i përshtatur për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ky poligon do të përmbajë shtigje të aksesueshme, elemente vizuale dhe auditive, sipërfaqe tactile dhe përmbajtje edukative të dizajnuar posaçërisht, duke mundësuar qasje të barabartë dhe pjesëmarrje aktive për të gjithë fëmijët.
“Në vend të një ish-deponie, ne po krijojmë një hapësirë krejtësisht të re urbane që do t’u shërbejë banorëve të kësaj pjese të komunës, si dhe nxënësve të shkollës së specializuar aty pranë,” tha kryetari Gjorgjievski, duke shtuar se projekti është pjesë e një strategjie më të gjerë për të rritur gjelbërimin dhe për të përmirësuar mjedisin në komunë.
Në 3.5 vitet e fundit, Komuna e Kisella Vodës ka krijuar dhe rregulluar mbi 80,000 m² zona të reja të gjelbra, duke përmirësuar ndjeshëm mjedisin ekologjik dhe peizazhin urban.