Shkup – Maqedonia e Veriut po planifikon të pozicionohet si një qendër e rëndësishme tranzituese për transportin hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve përmes Korridorit 10. Kjo do të realizohet nëpërmjet ndërtimit të një hekurudhe të re me shpejtësi të lartë dhe modernizimit të linjës ekzistuese.
Drejtori i Infrastrukturës së MZ, Sinisha Ivanovski, njoftoi planet ambicioze gjatë një konference për shtyp. Ai theksoi se projekti është pjesë e marrëveshjeve me Mbretërinë e Bashkuar dhe synon të shfrytëzojë portet greke si pika hyrëse për mallrat që synojnë destinacionet evropiane.
Për të arritur këtë, do të ndërtohet një linjë e re hekurudhore paralele me atë ekzistuese, duke krijuar kështu një hekurudhë me dy shinja përgjatë Korridorit 10. Kjo do të rrisë ndjeshëm shpejtësinë e transportit të mallrave dhe pasagjerëve.
Ivanovski shpjegoi se po përgatitet një detyrë projekti për rikonstruksionin e plotë të linjës ekzistuese, duke synuar rritjen e shpejtësisë deri në 160 km/h për trafikun e pasagjerëve dhe deri në 120 km/h për trafikun e mallrave. Ai shtoi se, sa herë që të jetë e mundur, do të bëhen përpjekje për të drejtuar kthesat dhe për të shkurtuar gjatësinë e hekurudhës.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është ndërtimi i një linje hekurudhore që do të lidhë stacionin hekurudhor në Shkup me Aeroportin e Petrovecit.
Hekurudha do të ndërtohet sipas parimit të projektimit dhe ndërtimit, që do të thotë se kontraktori do të jetë përgjegjës për të dyja, projektimin dhe ndërtimin.
Ivanovski theksoi se hekurudha do të jetë plotësisht e elektrifikuar me sisteme moderne të sinjalizimit dhe kontrollit të trafikut, sipas standardit ETCS (Sistemi Evropian i Kontrollit të Trenit). Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e sigurisë së pasagjerëve dhe reduktimin e numrit të kryqëzimeve rrugore përgjatë Korridorit 10.
Afati kohor i parashikuar për përfundimin e punimeve të ndërtimit është 5 vjet, por ky afat mund të specifikohet më tej.
Paralelisht me ndërtimin e hekurudhës, do të rikonstruktohet edhe stacioni hekurudhor në Shkup dhe do të ndërtohet linja hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.