Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, ka pranuar sot kopjet e kredencialeve nga Ambasadori i ri i Republikës së Indisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Arun Kumar Sahu, me seli në Sofje.
Gjatë takimit, Muçunski dhe Sahu shkëmbyen pikëpamje për intensifikimin e dialogut politik përmes vizitave të nivelit të lartë, duke theksuar zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, në takim u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira midis dy vendeve, si dhe angazhimi i përbashkët për thellimin e tyre të mëtejshëm në nivel bilateral dhe multilateral.
Ambasadori Sahu theksoi prioritetin që Qeveria e Indisë i kushton marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se misioni i tij do të jetë i fokusuar në forcimin e tregtisë, investimeve, si dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të tilla si teknologjia dhe turizmi.