Kuvendi pritet të miratojë ndryshimet e reja në Ligjin për Tarifat Doganore, duke i dhënë kështu dritën jeshile planit të Qeverisë për të reduktuar tarifat doganore për një numër të madh lëndësh të para dhe materialesh të përdorura në industrinë dhe energjinë vendase. Lajmi u konfirmua nga Dafina Stojanoska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Sipas Stojanovskës, lista e rreth 70 produkteve, e përpiluar në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me Odën Ekonomike, përfshin një reduktim deri në 50% të normave doganore që zbatohen në BE, si dhe heqjen e tarifave doganore për importet nga SHBA. Këto ndryshime pritet të rezultojnë në kosto më të ulëta për prodhimin vendas, duke rritur kështu konkurrencën në tregjet e huaja, nxitur investime të reja dhe krijuar më shumë vende pune.
Stojanoska theksoi se heqja e tarifave doganore për mallrat me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm një vendim tregtar, por edhe një hap diplomatik. Me këtë vendim, vendi po dërgon një sinjal të rritjes së gatishmërisë për bashkëpunim me partnerët strategjikë dhe mbështetjen e tregtisë së lirë.
“Me këtë ndryshim ligjor, kompanitë e Maqedonisë do të bëhen më konkurruese, çmimet e prodhimit do të ulen dhe eksportet do të rriten, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e ekonomisë. Ky është vetëm një hap i Planit më të gjerë për Rritje Ekonomike. Një ndryshim kyç me të cilin ne i përkushtohemi ekonomisë në praktikë, dhe jo vetëm në letër,” përfundoi Stojanoska.