Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerare, Sanja Božinovska, zhvilloi një takim pune me David Oberhuber, drejtor i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në vendin tonë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe mbështetjen për sektorin e energjisë.
Në fokus të takimit ishte forçimi i bashkëpunimit mes ministrisë dhe GIZ, veçanërisht në përgatitjet për Forumin e 14-të Ndërkombëtar për Energji të Qëndrueshme për Zhvillim, i cili do të mbahet nga 28 deri më 30 tetor 2025 në Shkup. Forumi do të mbahet nën moton “Nga Qëllimet në Veprim: Fuqizimi i së Ardhmes me Energji të Qëndrueshme.”
GIZ, si partner afatgjatë i vendit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe energjisë, konfirmoi gatishmërinë e saj për të ofruar mbështetje aktive për ngjarjen, përmes mobilizimit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe pjesëmarrjes në konceptimin dhe organizimin e diskutimeve tematike të panelit.
Gjatë takimit, u bë një rishikim i projekteve aktuale të zbatuara me mbështetjen e GIZ, veçanërisht në fushën e efiçencës së energjisë. Të dy palët shprehën kënaqësi me rezultatet e deritanishme, të cilat tregojnë përparim konkret në promovimin e kapaciteteve kombëtare dhe përmirësimin e kushteve për menaxhim më efikas të burimeve energjetike.
Përveç nismave aktuale, u diskutuan drejtime të ardhshme të bashkëpunimit strategjik. Në këtë drejtim, u shqyrtuan mundësitë për zhvillimin e projekteve të reja të përbashkëta për vitin 2026, të cilat do të fokusohen në mbështetjen e procesit të tranzicionit energjetik, dixhitalizimin e sektorit energjetik, si dhe përmirësimin e kapaciteteve institucionale përmes asistencës teknike dhe ekspertëve.
Božinovska theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga GIZ, duke e vlerësuar këtë bashkëpunim si jashtëzakonisht të vlefshëm për promovimin e politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në sektorin e energjisë. Ajo shtoi se ministria mbetet e hapur për thellimin e mëtejshëm të partneritetit, në mënyrë që të sigurojë një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të gjelbër dhe inovative për qytetarët e vendit.