Shkup – Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerare ka zhvilluar një takim koordinues me përfaqësues të institucioneve kryesore të sektorit energjetik, ku u diskutuan masat përgatitore dhe aktivitetet aktuale për një furnizim të qetë me energji elektrike dhe ngrohje gjatë sezonit të ardhshëm të ngrohjes.
Ministrja Sanja Bozinovska theksoi se sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe të sigurt për qytetarët dhe industrinë mbetet prioritet kryesor gjatë gjithë sezonit të ngrohjes.
Në takim, i cili u mbajt në Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerare, morën pjesë përfaqësues të ESM, MEPSO, NOMAGAS, si dhe NEMO, të cilët prezantuan pikëpamjet, sfidat dhe propozimet e tyre për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit energjetik dhe rritjen e koordinimit ndërmjet institucioneve.
U shqyrtuan përparimi i projekteve të infrastrukturës energjetike, gjendja e sigurimit të burimeve të nevojshme energjetike, planet për funksionimin e shkëmbimit të energjisë elektrike dhe tregu ditor, si dhe koordinimi ndërmjet institucioneve për të ruajtur stabilitetin e sistemit.
Ministria theksoi se kjo është hera e parë që nga themelimi i saj që Bozinovska ka futur praktikën e takimeve të rregullta koordinuese me të gjitha institucionet relevante në sektor, me qëllim informimin e vazhdueshëm dhe koordinimin e aktiviteteve, një praktikë që nuk ekzistonte më parë.