Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka identifikuar shoferin e automjetit që u filmua duke tërhequr një kalë të lidhur pas veturës nëpër rrugët e Shkupit. Videoja, e publikuar dje, shkaktoi reagime të ashpra nga qytetarët dhe aktivistët e të drejtave të kafshëve.
Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ku shihej një automjet tip “Golf” me targa të Shkupit duke tërhequr një kalë të lidhur pas tij, Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup ndërmori masa për të identifikuar personin përgjegjës për këtë akt.
Sipas MPB-së, pas hetimeve të kryera, është identifikuar shoferi i automjetit dhe me të është zhvilluar një bisedë zyrtare. Është njoftuar edhe prokurori publik, i cili ka dhënë udhëzime që të përgatitet një raport për Prokurorinë Publike në Shkup, së bashku me të gjithë materialin e dokumentuar, për veprime të mëtejshme.
Rasti po trajtohet si “keqtrajtim i kafshëve”, vepër penale e sanksionuar me nenin 233 të Kodit Penal. Autori mund të ndiqet penalisht në bazë të këtij neni.