Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, vizitoi Prishtinën sot për të diskutuar përforcimin e bashkëpunimit ndërkufitar me Kosovën. Fokusi kryesor ishte vlerësimi i implementimit të sistemit “One Stop Shop” në vendkalimin kufitar “Bllacë-Han i Elezit” dhe planet për zgjerimin e tij në vendkalimin “Jazincë-Globoçicë”.
Sipas Ministrit Toshkovski, faza e ardhshme e bashkëpunimit është implementimi i sistemit “One Stop Shop” në vendkalimin kufitar “Jazincë-Globoçicë”, i cili pritet të realizohet në periudhën e ardhshme. Ai theksoi se ky sistem ofron një kontroll të vetëm në vend të dyfishtë, duke shkurtuar kohën e pritjes dhe duke përmirësuar përvojën e pasagjerëve. Gjithashtu, ai theksoi se për shërbimet do të thotë punë më efikase, koordinim më të mirë dhe luftë më të fortë kundër aktiviteteve ilegale, ndërsa për të dyja vendet shënon një kapitull të ri të lidhjes me transport më të shpejtë, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi.
Në takim u diskutua edhe bashkëpunimi aktual ndërmjet dy ministrive dhe forcave policore, si dhe mundësia e përmirësimit të tij në fushën e shkëmbimit të informacioneve dhe luftës kundër krimit ndërkufitar. Takimi u zhvillua me ftesë të homologut kosovar të Ministrit Toshkovski, Ministrit Xhelal Sveçla.