Koalicioni qeveritar ka rënë dakord që të finalizojë vendimet për personelin deri në fund të kësaj jave, pas largimit të Arben Taravarit nga Aleanca për Shqiptarët nga Qeveria dhe koalicioni “Vredi”. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se propozimi për një Ministër të ri të Shëndetësisë do t’i dorëzohet Kuvendit javën e ardhshme.
Mickoski theksoi se pozita e Ministrit të Shëndetësisë mbetet në Vredi, por shtoi se si Kryetar i Qeverisë ka të drejtë të thotë jo për një propozim të mundshëm të një personi me të cilin nuk mund të bashkëpunojë.
Pas konfirmimit të dorëheqjes së Taravarit, lideri i Besës, Bilal Kasami, i cili është pjesë e koalicionit qeveritar, tha se nuk përjashtohet mundësia e ndërrimit të dikastereve me VMRO-DPMNE-në, që do të thotë se “Vredi” mund të marrë Ministrinë e Arsimit dhe të lëshojë Ministrinë e Shëndetësisë.
Si kandidate e mundshme për Ministre të Shëndetësisë është përmendur edhe ministrja aktuale e Arsimit, Vesna Janevska. Ajo deklaroi se ende ka shumë punë në Ministrinë e Arsimit dhe kujtoi se vendimet për përbërjen e Qeverisë i merr Kryeministri dhe se ajo do të shkojë atje ku Kryeministri vendos se i nevojitet shtetit.
Përveç saj, si kandidat i mundshëm për Ministër të Shëndetësisë është përmendur edhe drejtori aktual i Fondit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Ai deklaroi se nëse do t’i propozojë, do të pranonte të jetë Ministër i Shëndetësisë, por vetëm nëse sigurohet një zëvendësim adekuat për të në Fond.