Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se borxhi publik dhe shtetëror i vendit është në nivelin më të ulët në pesë vitet e fundit. Ai u përgjigj pyetjes së një gazetari lidhur me nivelin e borxhit publik dhe shtetëror dhe pritshmëritë për uljen e tyre të vazhdueshme.
Mickoski theksoi se borxhi publik është rreth 57.7% e produktit të brendshëm bruto (PBB), ndërsa borxhi shtetëror është 50.1%.
Ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që qeveria të arrijë uljen e mëtejshme të këtyre parametrave deri në fund të mandatit. Mickoski theksoi se qëllimi është që borxhi publik të jetë nën 55%, madje edhe nën 50%, dhe borxhi shtetëror të jetë nën 45%, madje edhe nën 40%.
Përveç reduktimit të borxhit, Mickoski theksoi rëndësinë e rritjes së PBB nominale. Ai deklaroi se aktualisht PBB është rreth 17 miliardë dollarë dhe se pret që deri në fund të mandatit të arrijë në 20 miliardë dollarë. Kryeministri shprehu optimizmin se qeveria do t’i përmbushë këto tre objektiva strategjike në fushën e treguesve makroekonomikë.