Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se situata me zjarret në vend është nën kontroll dhe se të gjitha kapacitetet e shtetit janë mobilizuar për t’u përballuar me to. Ai theksoi se mekanizmi i ndihmës së Bashkimit Evropian është aktivizuar, por që të gjitha forcat vendase po punojnë për të mbajtur situatën nën kontroll.
Mickoski theksoi se çdo ditë ka nga 30 ose më shumë zjarre, ku vetëm dje kishte mbi 50. Ai shtoi se për shumicën e tyre ka dyshime të bazuara se janë vënë qëllimisht ose kanë ndodhur për shkak të pakujdesisë.
Ai theksoi se të gjitha avionët operacionalë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ushtrisë dhe policisë janë në funksion. Gjithashtu, ai tha se edhe automjetet speciale të përgatitura janë në operacion, duke marrë parasysh pritshmëritë për verën.
Kryeministri theksoi se zjarret janë të përhapura në të gjithë Evropën, sidomos në zonën Mesdhetare, duke përmendur Greqinë, Turqinë, Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën, Kroacinë, Serbinë, Spanjën, Italinë dhe Qipron si vende të prekura. Ai gjithashtu shtoi se në këtë moment nuk ka avionë të lirë që do të ishin pjesë e mekanizmit të BE-së për të ndihmuar.
Ai përfundoi duke thënë se aktualisht janë mbi 200 pjesëtarë të Ushtrisë në terren, ndërsa oficerët e policisë po drejtojnë automjetet speciale. Ai siguroi qytetarët se situata është nën kontroll dhe se pritet që kjo situatë të vazhdojë gjatë gjithë verës. Gjithashtu, ai theksoi se aktualisht nuk ka asnjë zjarr jashtë kontrollit.