Shkup – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka njoftuar se Ministria do të ofrojë 229 milionë denarë për financimin e projekteve mjedisore nëpërmjet Programit 2025. Ky njoftim u bë gjatë një takimi pune me kryesinë e ZELS – Asociacionit të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, ku u prezantua detajisht Thirrja publike për financimin e projekteve në fushën e mjedisit për vitin 2025.
Fondi më i madh i destinuar është për të mbështetur infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit, fusha ku shumë komuna ende përballen me sfida serioze.
Ministri Mexhiti theksoi se komunat janë aleatët më të rëndësishëm në terren dhe se ata i njohin më mirë problemet dhe nevojat lokale, prandaj dëshirohet t’i mbështeten drejtpërdrejt me fonde për të zgjidhur ato sfida.
Gjatë takimit, u prezantuan gjithashtu kriteret, procedurat e aplikimit dhe mbështetja që Ministria ofron për përgatitjen dhe zbatimin e suksesshëm të projekteve. U theksua se çdo komunë mund të aplikojë me një ose më shumë projekte, dhe se inkurajohen edhe nismat e përbashkëta rajonale.
Përfaqësuesit e ZELS shprehën gatishmërinë e tyre për të informuar dhe angazhuar aktivisht komunat anëtare, si dhe interesin e tyre për të mbajtur sesione dhe punëtori informuese shtesë në periudhën e ardhshme.
Konkursi është i hapur deri më 29 prill, dhe të gjitha informacionet, kriteret dhe formularët e aplikimit janë të disponueshëm në faqen e internetit të Ministrisë.