Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj ish-ministrit Kreshnik Bekteshi, duke e cilësuar atë si drejtësi selektive dhe diskriminim. Sipas BDI-së, ndërsa persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje, përfshirë kryetarët e Komunës së Koçanit, janë të lirë, mbajtja e Bekteshit është një standard i dyfishtë.
Në reagimin e tyre, BDI thekson se kjo situatë nuk është vetëm një shkelje e ligjit, por edhe një diskriminim i hapur politik, etnik dhe partiak, duke e konsideruar si fyerje për çdo qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ata shtojnë se, pavarësisht se dëshmitarët dhe prindërit e viktimave kanë treguar qartë fajtorët e vërtetë, vetëm ish-ministri Bekteshi po mbahet në izolim, me qëllim që të mbrohen fajtorët e vërtetë.
BDI akuzon Prokurorinë dhe qeverinë aktuale për shkelje brutale të të gjitha parimeve ligjore, morale dhe njerëzore. Ata theksojnë se Kryeministri, pasi ka kërcënuar prokurorin, tani e ka nënshtruar plotësisht atë dhe po vepron si prokuror dhe gjyqtar në të njëjtën kohë.
Si përfundim, BDI bën thirrje për protesta paqësore, por të vendosura, duke sugjeruar se nëse rruga është zgjidhja, atëherë është koha që të gjithë qytetarët t’u bashkohen familjeve të viktimave nga Koçani dhe të kërkojnë drejtësi në rrugë.