Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka prezantuar në Kuvend Ligjin e ri për Angazhimin e Personave, i cili synon zvogëlimin e ekonomisë gri dhe ofrimin e mbrojtjes sociale për punëtorët. Ligji synon të thjeshtojë procedurat për angazhimin e punëtorëve në punë të rastësishme dhe sezonale.
Durmishi theksoi se një nga qëllimet kryesore të këtij ligji është parandalimi i emigrimit të të rinjve duke u ofruar kompanive një mënyrë ligjore për të angazhuar punëtorë.
Ligji gjithashtu lejon angazhimin e pensionistëve dhe studentëve të rregullt pa humbur përfitimet e tjera që ata gëzojnë aktualisht, si përdorues të ndihmës sociale, të drejtës për kompensim financiar si të papunë, pensionit pleqërie, pensionit familjar, apo statusit të studentit të rregullt.
Ministri Durmishi shtoi se ky ligj ndihmon në luftën kundër ekonomisë informale duke formalizuar punën e paregjistruar dhe është pjesë e angazhimeve strategjike të shtetit për të stimuluar dhe mbështetur formalizimin e aktiviteteve ekonomike informale.
Angazhimi i punës në procedurë të thjeshtuar do të realizohet duke regjistruar personin nëpërmjet regjistrit për evidentimin e angazhimit të punës në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Maqedonisë, ndërsa mbledhja e taksave dhe kontributeve do të kryhet përmes një përmirësimi të sistemit të mbledhjes së taksave dhe kontributeve të Administratës Publike të të Ardhurave.