Partia Liberal Demokratike (LDP) njoftoi se qytetarët, falë presionit publik dhe fushatës “Llogaria Jote – Paratë e Tua”, kanë arritur një ulje të tarifave të shërbimeve bankare. Kjo ulje, sipas LDP-së, është vetëm hapi i parë.
Partia thekson se ky është një hap i rëndësishëm dhe i duhur, duke treguar se kur institucionet janë të hapura dhe politika zhvillohet në shërbim të qytetarëve, arrihen rezultate konkrete.
LDP inkurajon Guvernatorin e Bankës Kombëtare të vazhdojë me reformat dhe të mbështesë me vendosmëri iniciativat për shfuqizimin e një sërë tarifash dhe komisionesh bankare të pabaza që ekzistojnë vetëm në vendin tonë dhe janë të panjohura në sistemet moderne bankare evropiane. Sipas tyre, qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të paguajnë komisione për mbylljen e llogarive, kontrollin e gjendjes, tërheqjen e parave nga bankomatë të tjerë, për pagesa online dhe qasje elektronike – kosto të cilat në shumicën e vendeve anëtare të BE-së janë shfuqizuar ose minimizuar. LDP vlerëson se ka ardhur koha që kjo padrejtësi të marrë fund.
Lidhur me këtë, LDP ka dorëzuar tri herë në Kuvend amendamente në Ligjin për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave. Amendamentet e propozuara parashikojnë heqjen e tarifave bankare për të cilat nuk ka asnjë bazë reale dhe të cilat vetëm sa e rëndojnë më tej standardin e jetesës së qytetarëve. LDP pret që të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë politike, të mbështesin interesin e qytetarëve dhe të votojnë pro amendamenteve.