Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka vendosur një kuotë prej 10,000 leje pune për të huajt për vitin 2025. Ky vendim u bë publik nga Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, gjatë një konference rajonale mbi migracionin e punës, të organizuar në Budva nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Sipas ministrit Durmishi, ky numër është rezultat i një analize të kujdesshme të situatës në tregun e punës dhe nevojave të shprehura për fuqi punëtore në sektorë të ndryshëm. Ai theksoi se sistemi është i saktë, transparent dhe respekton fuqinë punëtore vendase, duke lënë hapësirë për plotësimin e profileve deficitare me punëtorë të kualifikuar të huaj.
Ministri Durmishi shtoi se angazhimi i Qeverisë është krijimi i një ambienti ku çdokush që jeton dhe punon ligjërisht në vend të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mbështetur. Ai e konsideroi migracionin e punës si një mundësi për rritje ekonomike për çdo vend, por vetëm nëse menaxhohet me mençuri, me respekt për të drejtat e njeriut dhe me një vizion për të ardhmen.
Qëllimi i Maqedonisë së Veriut, sipas tij, është ndërtimi i një shoqërie ku migracionit i punës do të inkurajojë rritjen, do të lidhë njerëzit dhe do të krijojë një të ardhme të përbashkët stabiliteti, zhvillimi dhe dinjiteti. Ai theksoi gatishmërinë e vendit për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, duke besuar se përmes planifikimit të përbashkët dhe harmonizimit të rregulloreve mund të mundësohet qarkullimi i aftësive, të mbështetet inovacioni dhe të zvogëlohet ekonomia gri.
Durmishi deklaroi se Maqedonia e Veriut i sheh migrantët jo vetëm si fuqi punëtore, por edhe si bartës të njohurive, përvojës, shkëmbimit kulturor dhe potencialit ekonomik. Ai shtoi se përfshirja e rregulluar e punëtorëve të huaj kontribuon në rritjen e produktivitetit, zhvillimin e industrive të ndjeshme ndaj fuqisë punëtore dhe stabilizimin e punësimit.
Ministri Durmishi theksoi se migracioni i punës duhet të shoqërohet me politika sociale dhe integrimi, që do të thotë mbrojtje e të drejtave të punëtorëve, luftim i diskriminimit, respektim i dallimeve kulturore dhe sigurim i qasjes së barabartë në informacion dhe institucione. Ai kujtoi se në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me Ligjin për Punësimin dhe Punën e të Huajve, sigurohet një mekanizëm ligjor i qëndrueshëm dhe i qartë, përmes të cilit punëtorët e huaj mund të përfshihen në ekonominë e vendit, gjithmonë në përputhje me nevojat dhe standardet vendase.
Ligji parasheh caktimin e një kuote vjetore për lejet e punës, e cila nuk duhet të kalojë 5% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend.