Kërçova po përjeton një rikthim në hartën e investimeve serioze falë angazhimit të koalicionit VLEN, pas dy dekadash neglizhence nga qeveritë e kaluara.
Një projekt madhor për ndërtimin e një sistemi kolektor dhe një impiant modern për trajtimin e ujërave të zeza, me vlerë mbi 1 miliard denarë nga buxheti i shtetit, ka filluar të zbatohet.
Sipas VLEN, ky projekt jo vetëm që do të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët e Kërçovës, si dhe do të mbrojë shëndetin publik dhe mjedisin, por pas 22 vitesh premtimesh dhe manipulimesh politike nga DUI, Zajazi i Ali Ahmetit më në fund do të ketë kanalizime.
VLEN pretendon se projekti ishte në prag të dështimit kur morën pushtetin. Sipas tyre, zbatimi ishte vetëm 17% pas 21 muajsh, fondet e IPA-s ishin humbur, kontraktori ishte jofunksional, dhe mungonte një reagim institucional nga qeveria e kaluar.
Falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Zëvendëskryeministrit të Parë, Izet Mejiti, si dhe punës së palodhshme të kolegëve në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, projekti u shpëtua nga dështimi i plotë. Kontrata e mëparshme u ndërpre, u kërkua kompensim, dhe përmes një prokurimi të ri, transparent dhe afatgjatë, u sigurua financim i plotë nga buxheti i shtetit për zbatimin e këtij investimi strategjik.