Shkup – Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Angelevska, ngriti disa pyetje kyçe në seancën parlamentare, duke vënë në qendër të vëmendjes pagën minimale, koston e shportës konsumatore dhe funksionimin e sistemit gjyqësor.
Një nga pyetjet kryesore ishte ajo lidhur me kërkesën e sindikatave për rritjen e pagës minimale në 500 euro, duke shprehur pakënaqësi me rritjen aktuale. Angelevska kërkoi qëndrimin e Kryeministrit lidhur me këtë kërkesë, duke pasur parasysh që paga minimale aktuale, e përcaktuar sipas ligjit, është 24,379 denarë neto dhe 36,037 denarë bruto, pas rritjes së fundit.
Përveç kësaj, ajo vuri në dyshim efektin e masave ekonomike të qeverisë për ngrirjen e çmimeve në koston e ushqimeve, duke iu referuar shportës konsumatore.
Pyetja e tretë dhe më e ndjeshme ishte ajo lidhur me sistemin gjyqësor. Angelevska pyeti Kryeministrin se si e komenton punën e Këshillit Gjyqësor, duke marrë si shembull dënimin e vogël të dhënë ndaj Teodorës nga Gjykata Themelore në Tetovë. Ajo theksoi se besimi i publikut te sistemi gjyqësor është vetëm 2% dhe përmendi një sërë skandalesh që kanë tronditur Këshillin Gjyqësor, duke përfshirë dorëheqjen e një anëtareje për shkak të presioneve politike dhe votimin e mosbesimit në Kuvend për anëtarët e Këshillit. Angelevska shtoi se pavarësisht interpelancave të votuara për gjyqtarët, ata vazhdojnë të punojnë.
Në fund, Angelevska pyeti Kryeministrin se kur mund të priten reforma në gjyqësi dhe nëse dënimi i vogël për Teodorën është një arsye për shkarkimin e menjëhershëm të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.