Katër persona nga Shkupi janë arrestuar dhe akuzuar për vjedhje të rënda të kryera në një objekt të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e RMV – Infrastruktura Hekurudhore Shkup. Sipas njoftimit të Njësisë së Punëve të Brendshme Aerodrom dhe Draçevë në SPB Shkup, E.Z. (52), A.A. (55), R.D. (31) dhe S.D. (32) akuzohen për pesë vepra penale të “vjedhjes së rëndë”, njëra prej të cilave ka mbetur në tentativë.
Vjedhjet janë kryer në periudhën nga 30 marsi deri më 14 prill 2025. Gjatë kësaj periudhe, të dyshuarit kanë vjedhur një makinë për përpunimin e drurit, një motor kompresori, vegla pune dhe sende të tjera nga objekti i JP Hekurudhat e RMV. Vlera e përgjithshme e sendeve të vjedhura llogaritet në përafërsisht 1,239,000 denarë.
Më 14 prill 2025, policia i ka kapur në flagrancë duke tentuar të kryejnë një tjetër vjedhje të rëndë në objekt. Menjëherë pas kësaj, ata janë arrestuar.
Me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, E.Z., R.D. dhe S.D. janë dërguar në paraburgim për një periudhë prej tetë ditësh, ndërsa A.A. është vendosur në arrest shtëpiak për të njëjtën periudhë.