Qindra motoristë urbanë, të veshur me kostume, pallto, kravata dhe këpucë elegante, parakaluan sot nëpër rrugët e Shkupit për herë të dhjetë si pjesë e aksionit global “The Distinguished Gentleman’s Ride”, kushtuar ndërgjegjësimit për shëndetin e meshkujve dhe luftës kundër kancerit të prostatës. Me helmeta të detyrueshme dhe duke ngarë motoçikleta klasike, pjesëmarrësit ishin pjesë e një lëvizjeje globale që këtë vit u zhvillua në 108 vende dhe mblodhi mbi një mijë pjesëmarrës.
Shkupi u bë pjesë e kësaj historie urbane dhe humanitare të motoçikletave për herë të parë në vitin 2016, falë nismëtarëve Igor Stefanovski dhe Blagoja Petrovski, të cilët arritën ndër vite të ruajnë entuziazmin dhe interesin për këtë tubim unik me një qëllim humanitar.
Ashtu si në vitet e mëparshme, dhurimet e mbledhura do të paguhen në llogarinë e fondacionit “Movember” në Londër, nga ku më pas shpërndahen në spitale dhe institucione që po luftojnë për të përmirësuar shëndetin e meshkujve dhe për t’u mbrojtur nga kanceri i prostatës.