KOÇAN – Ish-kryetari i komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, do të vazhdojë të qëndrojë në arrest shtëpiak, ashtu si paraardhësit e tij në këtë post, Ratko Dimitrievski dhe Nikolço Iliev. Kjo vjen pas vendimit të gjykatës për zëvendësimin e masës së paraburgimit për disa të dyshuar në lidhje me hetimin e zjarrit tragjik në diskotekën “Puls”.
Gjykata në Koçan njoftoi sot në faqen e saj zyrtare se masa e paraburgimit për shtatë të dyshuar është zëvendësuar me arrest shtëpiak. Vendimi u mor pas ankesave të të dyshuarve, të paraqitura përmes avokatëve të tyre.
Sipas deklaratës së gjykatës, masa e paraburgimit fillimisht u zëvendësua me arrest shtëpiak për tre të dyshuar, pas ankesës së tyre. Më vonë, me propozim të Prokurorisë Publike në Koçan, u vendos që edhe për katër të dyshuar të tjerë masa e paraburgimit të zëvendësohej me arrest shtëpiak.
Ndërkohë, ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, vazhdon të qëndrojë në paraburgim, ndërsa paraardhësit e tij, Valjon Saracini dhe Bekim Neziri, janë në arrest shtëpiak. Masa të kujdesit janë vendosur për Driton Kuçin.
Zjarri tragjik në diskotekën “Puls” mori jetën e 62 personave, shumica prej tyre të rinj. Ngjarja shokoi opinionin publik dhe shkaktoi reagime të shumta.
Një person tjetër i lënduar në zjarrin në Koçan, i cili po trajtohej në Beograd, ka ndërruar jetë. Po ashtu, oficeri policor i dyshuar për shkaktimin e zjarrit në Koçan, i cili ishte në kërkim, është dorëzuar në Prokurori.