Instituti i Shëndetit Publik ka lëshuar një sërë rekomandimesh për qytetarët, duke synuar mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenien e tyre në rast të rrezikut të mundshëm nga ndotja e ajrit dhe ekspozimi ndaj substancave të dëmshme. Këto masa synojnë reduktimin e rreziqeve të menjëhershme shëndetësore dhe sigurimin e mbrojtjes së komuniteteve.
Në zonat ku ekziston rreziku i ajrit të ndotur, rekomandohet qëndrimi brenda dhe mbyllja e dritareve, veçanërisht në zonat afër vendeve ku ka zjarre aktive. Sistemet e ventilimit dhe kondicionimit të ajrit që tërheqin ajër nga jashtë duhet të fikën për të parandaluar hyrjen e tymit dhe ndotësve në ambientet e brendshme.
Personat me sëmundje të frymëmarrjes, fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe gratë shtatzëna këshillohen të shmangin çdo aktivitet në natyrë. Nëse është e nevojshme të lëvizin jashtë, në zonën afër vendit të djegies, duhet të përdoren maska të përshtatshme.
Qendrat e kujdesit për të moshuarit duhet të marrin masa për të minimizuar ekspozimin e këtij grupi të prekshëm ndaj ajrit të jashtëm. Është e rëndësishme të monitorohen rregullisht informatat zyrtare dhe përditësimet mbi cilësinë e ajrit.
Nëse vërehen simptoma të tilla si kollë, gulçim, dhimbje koke ose irritim të syve, hundës dhe fytit, duhet të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore. Evitoni kontaktin me mbeturinat nga zonat e prekura derisa të merret leja zyrtare për akses.
Gjithashtu, është thelbësore të ndiqni të gjitha udhëzimet nga institucionet e shëndetit publik dhe shërbimet e emergjencës, si dhe udhëzimet për evakuim të mundshëm nëse rekomandohet nga autoriteti kompetent.