Kryeministri Hristijan Mickoski ka shprehur frustrimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për shkak të lëshimeve të vazhdueshme të bëra në rrugën e integrimit evropian, duke theksuar se atyre iu premtuan mrekulli, ndërsa ata kërkuan vetëm gjëra të thjeshta.
Në një intervistë për “Euronews”, Mickoski deklaroi se qytetarët, veçanërisht populli maqedonas, ndjejnë hidhërim për shkak të asaj që kanë hequr dorë. Ai shtoi se, që nga shpërbërja e ish-federatës, anëtarësimi në NATO dhe BE kanë qenë dy qëllimet strategjike të vendit.
Mickoski theksoi se do të vazhdojë të luftojë dhe të argumentojë kudo në botë për të drejtat e vendit të tij. “Të mësojmë të fitojmë, e them vazhdimisht, si në Washington, ashtu edhe në Bruksel, në Berlin, në Romë dhe në Paris, kudo në botë, në metropolet kryesore evropiane dhe botërore, dhe jo vetëm në shtëpi. Vetëm në atë mënyrë mund ta bindësh opinionin botëror për korrektësinë e argumenteve tuaja,” tha ai.
Kryeministri shprehu bindjen se shumica e shteteve anëtare të BE-së dëshirojnë ta shohin Ballkanin Perëndimor në BE, por theksoi se nuk mund t’u besojë të gjithëve. Ai shtoi se, për sa kohë që rregulli i unanimitetit vlen në BE, çdo lëshim i mëtejshëm që Maqedonia e Veriut do të bënte në të ardhmen, paraqet një rrezik për vendin.
Mickoski theksoi se lufta e tij politike bazohet në suksesin e rikuperimit të paktën të pjesshëm të asaj që është humbur dhe që qytetarët në këtë vend multietnik, ku maqedonasit janë shumicë, por ka edhe shqiptarë, serbë, vllehë, boshnjakë, romë, turq dhe qytetarë të tjerë, të kenë një jetë më të mirë. Ai pohoi se, edhe në këtë vit, po ia del mbanë në këtë drejtim.